Shkolla e Magjistraturës, më datë 29 janar 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Kultivimi i bimëve narkotike. Format e kryerjes së veprës penale. Kuptimi dhe zbatimi në praktikë i rrethanës cilësuese "më shumë se një herë". Organizimi i kultivimit të bimëve narkotike, raste të praktikës gjyqësore dhe problematikat lidhur me identifikimin dhe cilësimin e organizatorëve", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspert: Flojera Davidhi dhe Ylli Pjetërnikaj
Lehtësues: Bledar Maksuti
Qëllimi i këtij trajnimi është:. Aftësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve për trajtimin e çështjeve të kultivimit të bimëve narkotike sipas standardeve ndërkombëtare; Njohja e kornizës ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare (UNODC, Këshilli i Evropës, BE); Zbatimi i jurisprudencës së GjEDNj dhe GJED në rastet konkrete; Përmirësimi i aftësive analitike për interpretimin e rrethanave cilësuese; Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe procedurale
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Kuadri ligjor ndërkombëtar (UNDOC, Këshilli i Evropës, BE) dhe kombëtar lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike;
- Teknikat e inkriminimit dhe problematikat e shfaqura në jurisprudencë;
- Veprat e kryera në shkelje të licencës për ushtrim aktiviteti;
- Standardet e GJEDNJ dhe GJED mbi kultivimin e lëndëve narkotike;
- Problematika lidhur me kualifikimin ligjor të veprimeve që lidhen me kultivimin e lëndëve narkotike;
- Dallimi ndërmjet “Organizmi, drejtimi apo financimi i kultivimit” dhe “Organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatave kriminale me qëllim kultivimin”;
- Protokollet e hetimit të kultivimit të lëndëve narkotike.
- Metodologjia e hetimit të organizimit i kultivimit të bimëve narkotike, raste të praktikës gjyqësore dhe problematikat lidhur me identifikimin dhe cilësimin e organizatorëve;
- Analiza e provës të të dhënave që mund të përftohen nga kompanitë celulare: Provat dixhitale (metadata, gjeolokalizimi)
- Analiza e rrjeteve kriminale (network analysis): Përdorimi i softuerëve analitikë (i2 Analyst's Notebook, Palantir)
- Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.




Shkolla e Magjistraturës